Rrugë të reja në Korçë, lidhet kontrata 3.37 mln euro për 4 fshatra turistikë
Një investim prej rreth 3.37 milionë eurosh synon përmirësimin e aksesit rrugor dhe zhvillimin e turizmit të aventurës në katër fshatra me potencial turistik në rajonin e Korçës.
Përmirësimi i ofertës turistike të zonave natyrore në juglindje të vendit do të realizohet përmes ndërhyrjeve infrastrukturore në rrugët që lidhin fshatrat Dardhë, Arrëz, Sinec dhe Nikolicë, pjesë e Bashkisë së Korçës. Projekti ka në fokus lehtësimin e aksesit dhe zhvillimin e turizmit të aventurës në një nga zonat më të frekuentuara turistike të rajonit.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka njoftuar nënshkrimin e kontratës për zbatimin e punimeve, me një vlerë prej rreth 3.37 milionë euro. Kompania fituese e tenderit është shpallur “BE - IS” shpk, e cila do të kryejë ndërhyrjet në katër fshatrat turistikë.
Pjesë e programit kombëtar për infrastrukturën dhe turizmin
Ndërhyrjet në këto akse rrugore janë pjesë e projektit për Infrastrukturën dhe Turizmin në Shqipëri, i cili financohet nga Bashkimi Evropian përmes asistencës teknike dhe granteve të investimeve në një vlerë totale prej 40 milionë euro, si dhe nga një kredi sovrane plotësuese prej 60 milionë eurosh e dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për qeverinë shqiptare.
Projekti zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe synon rritjen e aksesueshmërisë, përmirësimin e infrastrukturës bazë dhe fuqizimin e potencialit turistik të zonave rurale dhe malore.
Kontrata të tjera në kuadër të programit
Në kuadër të të njëjtit program, më herët janë lidhur edhe kontrata të tjera të ngjashme. Një prej tyre ka të bëjë me përmirësimin e aksesueshmërisë dhe infrastrukturës së turizmit të aventurës në Alpet e Shqipërisë, me një vlerë prej 3.63 milionë euro.
Po ashtu, është lidhur një kontratë me vlerë 1.52 milionë euro për rehabilitimin e segmentit rrugor nga rrethrrotullimi i Sop-it deri në Urën e Darzezës.
Investime shtesë në energji
Paralelisht me investimet në infrastrukturën rrugore, në kuadër të këtij programi Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka zhvilluar edhe tenderë për përmirësimin e rrjetit elektrik në Alpet e Shqipërisë, me synimin për të rritur aksesin në energji elektrike dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe turistik të zonës.